Autorizohet Korporata e Investimeve për rijetësimin e stadiumit Niko Dovana
Qeveria ka miratuar kalimin e pronave shtetërore te Korporata e Investimeve për rijetëzimin e stadiumit “Niko Dovana” në Durrës.
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare” të pronave shtetërore, për realizimin e projektit të investimit rijetëzimi i stadiumit “Niko Dovana”, Durrës.
Sipas vendimit, Korporata vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj të veprojë si zhvillues i pronave të përcaktuara në funksion të realizimit të projektit, i cili ka si qëllim ndër të tjera përmbushjen e interesit publik.
Gjithashtu, Korporata e Investimeve Shqiptare apo autoritetet e autorizuara brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, do të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, përmbushjen e interesit të Korporatës, si dhe entiteteve në pronësi të të cilit regjistrohet prona e re shtetërore.
Në vijim të procedurave, Korporata e Investimeve Shqiptare do të hapë një garë publike konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara, për dhënien e pronës shtetërore me qira, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera, për zhvillimin e pronës nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes.
Parashikohet gjithashtu që Korporata e Investimeve Shqiptare të negociojë me subjekte private, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit.
Po kështu, në funksion të zhvillimit të pronave autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, për të proceduar me prishjen e objekteve ekzistuese që ndodhen brenda zonës së projektit. Ky projekt do të përfshijë jo vetëm transformimin e stadiumit, por edhe krijimin e një zone multifunksionale përreth tij, në përputhje me planin urban dhe interesin publik.
Projekti është miratuar rreth dy vite më parë nëpërmjet një gare ndërkombëtare. Në përfundim të saj fituese u shpall studio belge 51N4E e arkitektit të njohur danez Bjarke Ingels./Scantv